E nderuar Kryesi dhe Anëtarë të Fondit, Me ndihmën e miqve dhe mbështetësve tanë, 2024 po përfundon – dhe ne do të mund të përsërisnim përmbledhjen e vitit të kaluar, sepse shumë prej tyre janë të vlefshme edhe këtë vit: 2024 kaloi më shpejt se çdo vit tjetër (pavarësisht një dite më shumë). Ishte një vit sfidues, ende nën ndikimin e faktorëve të rëndësishëm humanitarë dhe socio-ekonomikë e për ne nga «Lugina» edhe politike, sepse ende po vazhdon zbrazja e vendit nga të rinjtë, ende ka shumë skamnorë, ende ka shumë probleme që tashmë dihen dhe për këtë arsye kemi shumë nevojë për mbështetjen tuaj për të vazhduar të mbajmë gjallë shpresën te të gjithë ata që kanë nevojë dhe t’i japim krahë të gjithë atyre që po bëjnë të pamundurën për të mbajtur gjallë jetën sado pak normale atje. Dhe për 2025? Çfarë janë parashikimet dhe aktivitetet dhe pritshmëritë e Fondit? A do të jetë një vit i vështirë apo i suksesshëm? Kjo nuk është e rëndësishme sepse kemi një vit përpara për t’u dëshmuar sërish. Si në të kaluarën, ne do të përballemi me erën dhe motin, dhe së bashku do të kalojmë pengesat që mund të na paraqiten, ose më mirë thënë do të kalojmë nëpër stuhinë – së bashku në vend që të jemi vetëm. Të bashkuar rreth qëllimeve të Fondit dhe me ju të nderuar miq, do ta kalojmë 2025 më shpejt se 2024. Unë dhe drejtuesit tjerë presim me padurim sfidat, dhe së bashku me ekipin e kryesisë së Fondit do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar popullatën atje në tokën tonë të shenjtë.

2024 ishte për ne një vit që dallohet me shumë aktivitete si ato në humanizëm, kultur, sport, arsim, shëndetësi e mirëqenie. Kryesia e Fondit, sapo filloi vitin 2024, përcaktoi qasjen dhe mundësitë e aktiviteteve që do të mund t’i realizonim gjatë këtij viti dhe filluam furishëm në shumë fronte, duke realizuar shumë gjëra që përbëjnë një vit të suksesshëm.

Organizim kulturor

• Fondi Humanitar për Preshevë, Bujanoc, Medvegjë-Zvicër dhe Shtëpia e Kulturës, respektivisht Teatri i Preshevës, realizuan shfaqjen “Hasan  Aga dhe Çika Potureshë” të autorit Mexhid Mehmeti, e cila u shfaq më 09.03.2024 në Teatrin e qytetit Uster-ZH. Ky event kulturor tuboi shqiptarët nga e gjithë Zvicra dhe u përcoll nga më shumë se 500 vizitorë.

Festa e Pavarësisë së Kosovës

• Ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Sami Ukelli, nderoi drejtuesit e fondit humanitar, Adnan Imeri kryetar dhe Skender Destani sekretar i përgjithshëm, me ftesën e tij në rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Ishte një kënaqësi të merrnim pjesë në këtë ngjarje mes veprimtarëve të ndryshëm.

 

Panairi dy ditor «Lugina 2024»

• Një panair i suksesshëm i bizneseve shqiptare nga Lugina e Preshevës për biznese të fushave të ndryshme si ekonomia, financat, teknologjia, etj. Në ditën e parë të panairit, kishte vizitorë nga e gjithë Zvicra dhe shtete përreth si Gjermania, Austria dhe Italia. Takimet, konsultimet dhe bashkëpunimet në 4 mes veprimtarëve të fushave të ndryshme krijuan një ide reale për të ardhmen e tyre. Panairin e vizituan më shumë se 1000 persona dhe rezultoi i suksesshëm.

 

Organizime e mbështetje aktivitete sportive dhe humanitare

•Turniri kupa e Fondit: Me datë 30.06.2024, rinia e Fondit Humanitar organizoi një turnir spektakular në futboll me mbi 46 ekipe dhe mbi 400 lojtarë aktivë në Regensdorf të Zürichut. Atmosfera ishte shumë e mirë dhe pa probleme. Turniri u nderua nga futbollistët e njohur nga Lugina Atdhe Nuhiu dhe Betim Fazliji. Fitues i këtij turniri u shpall ekipi “FC Vjosa” nga Wetzikon. Me mjetet e tubuara nga ky turnir u ble një banesë për një familje pa kulm mbi kokë.

• Mbështetje financiare klubit të futbollit për femra Preshevë-Bujanoc në renovimin e garderobës dhe banjove në objektin e këtij klubi.

• Akcioni për Ervin Halimi: Fondi bëri të pamundurën dhe për vetëm 72 orë mblodhi mbi 100,000 CHF për operacionin e Ervin Halimit në  Turqi. Shpresojmë dhe besojmë se operacioni do të kalojë me sukses dhe Ervini do të kthehet në mesin tonë plotësisht i shëruar.

 

Pjesëmarrje në ngjarje të ndryshme

Fondi mori pjesë në turnirin e organizuar nga Unioni i klubeve shqiptare të futbollit në Zvicër në mbështetje të Shkollës Shqipe në Zvicër.

• Fondi mori pjesë financiare në botimin e librit «Ditari 1989-1999» nga autori Nexhat Agushi.

• Në fund të shtatorit, drejtuesit e Fondit përmbyllën dy aktivitete të rëndësishme në Preshevë: dorëzuan familjes së Ervin Halimit një kopje nga xhirollogaria e Fondit për aksionin për transplantin në Turqi dhe dhuruan një banesë për një familje në Preshevë me të gjitha pajisjet e nevojshme dhe ushqime për një kohë të konsiderueshme.

Vizita dhe bashkëpunime

• Kryetari Adnan Imeri dhe sekretari Skender Destani takuan kryetaren e komunës së Preshevës z. Ardita Sinani dhe kryetarin e komunës së Bujanocit z. Arbër Pajaziti për të diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në sferat e nevojave humanitare, zhvillimit ekonomik, kulturës dhe arsimit.

• Vizitë në konsullatën e Rep. Kosovës me ftesë të konsullit z. Vigan Berisha

• Vizitë në zyrat e firmës Lindo AG në Dietikon për të shprehur mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen financiare që z. Herolind Xhaferi dhe kompania e tij i kanë dhënë fondacionit tonë.

• Konferenca e organizuar nga Unioni i Bizneseve «Visioni për PMB» dhe prezantimi i projektit konkret të promovuar në Zvicër «Hambari i Luginës» që synon punësimin e deri në 30 punëtorëve.

Ndryshime në kryesi • Me tërheqjen nga obligimet e arkëtarit dhe anëtarit të kryesisë, z. Arsim Ramizi, Fondi humbi një shtyllë të rëndësishme, por ky pozicion  është  mbuluar nga z. Agon Latifi, një ekonomist i dëshmuar. Gjithashtu, janë kooptuar dy anëtarë të rinj në kryesi, z. Bujar Ismaili dhe Mehmet Junuzi deri në kuvendin zgjedhor. Duke reflektuar mbi vitin që lamë pas, kemi pasur shumë aktivitete dhe kemi realizuar projekte të    rëndësishme. Kjo nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin dhe angazhimin tuaj. Vazhdojmë para! Ju falenderoj të gjithë anëtarët e kryesisë, anëtarësinë e fondit dhe të gjithë sponsorët për kontributin tuaj dhe për ndihmën që keni dhënë për të rritur ndikimin tonë në mirëqenien e popullatës në vendlindjen tonë të shtrenjtë.

 

Dhe për fund, GËZUAR 2025-ta, mbarësi, gëzime dhe begati në familjet tuaja!

Me respekt,

Adnan Imeri, Kryetar

S'ka komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *